TIRANË, 14 dhjetor/ATSH/ Shkolla 9-vjeçare dhe kopshti “Rilindja” në Sallmone të Shijakut kanë hapur dyert me kushte pakrahasimisht më të mira sesa përpara tërmetit të 26 nëntorit 2019.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje të këtij objekti arsimor, i cili është rindërtuar falë programit të Bashkimit Europian “EU4Schools”.
Programi “EU4Schools” financohet nga BE me 75 milionë euro dhe zbatohet nga UNDP Albania.
Në fokus të tij është rindërtimi apo riparimi i 60 objekteve arsimore në 11 bashkitë më të prekura nga tërmeti shkatërrues, falë të cilit përfitojnë drejtpërdrejtë rreth 24.500 fëmijë, nxënës e mësues.
Në fillim të këtij viti shkollor në kuadër të këtij programi kanë hapur dyert 10 shkolla të reja në 8 bashki të vendit, që janë rindërtuar sipas standardeve më të mira, duke krijuar modele bashkëkohore të institucioneve arsimore në vendin tonë.
Gjithsej janë 30 institucione arsimore të cilat presin fëmijë dhe nxënës në shkolla dhe kopshte, nga 60 që janë pjesë e programit.
Burimi Informacionit: ata.gov.al