Shkolla 9-vjeçare “Xhezmi Delli”, në Njësinë 3, është rindërtuar më e fortë dhe më cilësi për 350 nxënësit e saj. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj teksa pa nga afër investimin u shpreh se tashmë nxënësit kanë kushte arsimimi më bashkëkohore.
Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë Tiranë: Sa herë nis një punë e madhe e bashkisë në qytet, plas ajo histeria se këtu do bëjnë pallat. Ne e pranojmë atë akuzë sepse kemi bërë vërtet një pallat, një pallat për nxënësit. Shkolla me kondicioner nuk kisha parë ndonjëherë në Amerikë, jo në Shqipëri. Me ndriçim led, me ashensor me ‘çip’ për personat me aftësi ndryshe, me mësuese speciale, me parashkollor, me të gjitha kushtet e terrenet sportive. Dikur kjo ishte një shkollë në emergjencë, pa shkallë emergjence. Sot kemi shkallë emergjence dhe kemi një shkollë të nivelit evropian, me standarde të jashtëzakonshme. Jam vërtet krenar për këtë!
Kreu i Bashkisë shtoi se kaq shumë shkolla nuk janë ndërtuar ndonjëherë në Tiranë.
Në nisje të vitit të ri shkollor në kryeqytet u hapën 5 shkolla të reja duke ofruar mundësinë që nxënësit të marrin dije dhe të edukohen në kushte bashkëkohore.